Kreu i Shtetit shqiptar miraton simbolet e Institucionit të Presidentit të Republikës

10 korrik 2014

Në përfundim të procedurave për ideimin, modelimin dhe realizimin e simboleve të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe të dekoratave e titujve të nderit që jepen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, komisioni përzgjedhës për shqyrtimin e propozimeve të paraqitura, në zbatim të Urdhrit Nr 9, datë 20.08.2013, “Për rishpalljen e konkursit  “Për procedurat e ideimit, modelimit dhe realizimit të simboleve të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe të dekoratave e titujve të nderit që jepen nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë””, i përbërë nga shumica e anëtarëve i vlerësoi pozitivisht punimet e paraqitura dhe vendosi që t’i propozojë Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Bujar Nishani miratimin e punimeve të autorit Ylli Beqiri:

1.    Flamuri
2.    Logo
3.    Dekorata “Nënë Tereza”

Si konkluzion, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bujar Nishani miratoi propozimet e komisionit sipas punimeve të mëposhtme:

1.    Flamurin e Institucionit të Presidentit të Republikës

me përshkrimin e mëposhtëm:

a.    Ngjyrat që mbizotërojnë janë ngjyrat e flamurit kombëtar (sfondi i kuq dhe shqiponja e zezë) si dhe është shtuar ngjyra e artë e cila simbolizon fuqi, begati dhe qëndresë;
b.    Simbolet dekoruese të flamurit janë shqiponja e zezë e marrë nga stema e familjes së Kastriotëve duke pranuar atë si një nga simbolet më të lashta të përdorur nga prijës shqiptar, përkrenarja e Skënderbeut (e artë) e vendosur me vështrim drejt (as majtas as djathtas) duke simbolizuar paanshmëri dhe vendosmëri në përfaqësimin e unitetit kombëtar, si dhe gjethet e dushkut (të arta) të cilat përfaqësojnë jetëgjatësi, forcë dhe dinjitet, marrë gjithashtu si simbol nga lashtësia e përdorur nga mbreti Gent i Ilirëve.
Përdorimi i degëve të dushkut në formë kurore është parë edhe si një bazament i cili mban elementët e tjerë;
c.    Të ketë përmasat 140cm x 100 cm, me specifikimet sipas shtojcës 1a.

2.    Logon e Institucionit të Presidentit të Republikës

me përshkrimin e mëposhtëm:

a.    Shqiponja, përkrenarja dhe kurora e dushkut me të njëjtin kompozim si edhe tek flamuri të jenë elementët kryesore të Logos;
b.    Mbishkrimi i Logos të jetë PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË;
c.    Përmasat e logos janë të ndryshueshme në varësi të përdorimit (të gjithë elementët zmadhohen ose zvogëlohen bashkërisht në mënyrë proporcionale).

3.    Dekoratën “Nënë Tereza”

me përshkrimin e mëposhtëm:

a.    Elementi kryesor është portreti i Nënë Terezës, punim origjinal i autorit të medaljes provuar nga certifikata e të drejtës së autorit;
b.    teksti “M. Teresa” është kaligrafia origjinale e Nënë Terezës;
c.    degët e ullirit, të cilat janë simbol i dëshirës për paqe, vëllazërimit dhe jetëgjatësisë;
d.    ngjyra e medaljes është ajo e floririt të bardhë apo argjendit pasi kjo ngjyrë kombinon më së miri me vetë portretin, figurën dhe veprën e Nënë Terezës;
e.    Forma katrore gjithashtu është preferuar nga ajo rrethorja pasi i gjithë kompozimi qëndronte më mirë në një sfond katror se sa ai rrethor. Përmasat të jenë: lartësia 5 cm, gjerësia 4.5 cm dhe trashësia 2.5 – 3 mm.